Për një korpus kulturor dhe për një korpus gjuhësor në internet


Globalizimi sot nënkupton edhe integrimin e kulturave kombëtare në qytetërimet globale. Siç dihet identiteti kulturor është kategori më e qëndrueshme dhe më e rëndësishme se identiteti shtetëror.

Cili është integrimi i kulturës shqiptare në këtë globalizim? Si mund të bashkëjetojnë dhe të formojnë një tërësi kulturore, tradita dhe teknologjia?

Këto janë vetëm dy nga çështjet e shumta që shtron sot procesi i globalizimit në shtrirjen e gjerë dhe në shtrirjen e ngushtë për shoqërinë shqiptare. Një formë e integrimeve globale është komunikimi në internet. Si paraqitet kultura shqiptare në internet.

Prezantimi i kulturës shqiptare në rrjetin global të internetit ka një moshë të re dhe ka ende veçoritë e nismave dhe të ndërmarrjeve individuale. Këto nisma janë paraqitur, pothuajse, në të njëjtën kohë me rrjedhat bashkëkohore në këtë rrafsh, por fatkeqësisht kanë vazhduar të mbeten të tilla dhe në këtë praktikë kemi mbetur të vetmuar derisa kombet e tjera kanë ecur shumë përpara.

Jo shumë larg, para nëntë vjetëve, më 1995, në Selanik në një kuvend themelues të rrjetit kulturor ballkanik, në të cilin, pos Sllovenisë, Bullgarisë, Turqisë, Maqedonisë, Serbisë, Greqisë, Rumanisë, ka marrë pjesë edhe Shqipëria, bashkëpunimi kulturor ndërballkanik është propozuar e konceptuar edhe si bashkëpunim digjital, përmes internetit.

Nga ajo kohë, në shoqërinë shqiptare, më sa dihet, gjithçka ka nisur e ka mbetur në nismat vullnetare të individëve dhe sot kemi numër të madh të sajteve private, të cilat përpiqen të paraqesin kulturën shqiptare në rrjetin e internetit, me sukses dhe pa sukses. Do t’u hynim në hak shumë syresh nëse nuk do të pranonim se ka në këtë paraqitje shpesh edhe profesionalizëm, ndonëse mbetet shumë për t’u dëshiruar.

Duke dëshiruar që kultura shqiptare të ketë paraqitje të duhur, paraqitje të denjë, në rrjetin global të internetit, si mënyra më ekspeditive dhe më e mirë e komunikimit sot në botë, ky shkrim ka për qëllim të nxisë interesimin dhe provokimin e institucioneve tona të rëndësishme kulturore e shkencore, në Shqipëri e në Kosovë, që të ndërmarrin hapat e duhur për krijimin e një Biblioteke të madhe elektronike të kulturës shqiptare në internet, shumë të nevojshme e shumë të dobishme, jo vetëm për integrimin e kulturës shqiptare në integrimet ballkanike e botërore, po edhe për shfrytëzuesit shqiptarë anë e kënd botës, në të cilën bibliotekë elektronike do të përfaqësohej në mënyrë sistematike kultura shqiptare dhe ajo të prezantohet në rrjetin global. Nismën për një bibliotekë të tillë mund ta marrë cilido institucion kulturor a shkencor, ndërsa bashkëpunimi me institucione, shoqata a individë profesionalë me rëndësi duhet të jetë shumë i gjerë dhe shumë përmbajtjesor.

Vetëdijesimi se vëllimi i ndryshimeve në botë në fushën e komunikimeve njerëzore është, vërtet, shumë i madh, shumë i rëndësishëm dhe duhet t’i prijë punës së madhe që na pret në këtë rrafsh. I gjithë planeti është futur në këtë rrjet dhe është i paimagjinueshëm mosshfrytëzimi i kësaj medie për një shoqëri moderne sot. Shqiptarët nuk duhet të jenë përjashtim, me gjithë vonesat që i shoqërojnë ata në të gjitha punët e kësaj natyre.

E para që duhet të bëjmë në këtë drejtim është ta krijojmë një strategji kombëtare për zhvillimin informativ dhe të kuptojmë se kjo çështje nuk është çështje teknike, po çështje kulturore, politike dhe strategjike . Prandaj, duhet të përcaktohen orientimet bazë si do të dukeshin “institucionet virtuale” shqiptare, si institucione shumë të rëndësishme në epokën e re që mban shënjuesin e digjitalizimit dhe cilat janë kërkesat dhe mundësitë tona në kushtet e rrethanat tona në gjithë hapësirën kombëtare. Po kështu, duhet ta kemi përfytyrimin e qartë për metodat efikase që duhet të përdoren për t’i bashkuar energjitë, dijet, punën, ekspertët dhe anën financiare në gjithë hapësirën shqiptare. Krijimi i një baze qendrore i të dhënave kulturore e shkencore dhe i dhjetra ose qindra “punkteve” shkencore e artistike janë punët më të vështira dhe më të rëndësishme në fazën fillestare.

Biblioteka e kulturës shqiptare në internet duhet të ketë nënbibliotekat e veta të shkencave shoqërore dhe të arteve dhe ato duhet të jenë të përgatitura në mënyrën më profesionale dhe më shkencore. Këto nënbiblioteka duhet të fillojnë me antropologjinë, etnologjinë, arkeologjinë, historinë, filologjinë, gjuhësinë, filozofinë, fenë e të vazhdojë me artet – me letërsinë (letërsia gojore, letërsia e shkruar, shkenca mbi letërsinë, letërsia fetare), teatrin, muzikën, artet figurative, fotografinë dhe filmin.

Në Bibliotekën e kulturës shqiptare në internet do të duhej të përfshiheshin veprat kapitale të trashëgimisë sonë letrare e artistike, duke filluar nga letërsia e vjetër, letërsia e shekujve 17 e 18, sidomos letërsia e Rilindjes dhe e Pasrilindjes, veprat komplete të De Radës, Naimit, Samiut, Çajupit, Mjedjes, Konicës, Fishtës, Nolit, Kutelit, Migjenit, Poradecit dhe të tjerëve; veprat nga artet dëgjimore e pamore, pastaj vepra t? ndryshme të shkencës shqiptare. Në të vërtetë, duhet të përfshihen veprat e botuara dhe të pabotuara të të mëdhenjve tanë. Në bibliotekë duhet të përfshihen edhe veprat letrare e artistike të autorëve të mëdhenj bashkëkohorë.

Krijimi i kësaj biblioteke do të mundësojë që në formë elektronike të jepen vepra që nuk janë botuar ende, nga ato që me vite rrinë në arkiva e deri te ato më të rejat dhe të shfrytëzohen nga një numër shumë i madh i të interesuarve.

Në kuadër të bibliotekës do të mund të funksiononte edhe një nënbibliotekë në të cilën do të përfshiheshin tekste e shkrime të reja e të rëndësishme nga fusha të ndryshme të dijes shqiptare, nga aspekti i tyre teorik dhe praktik.

Në fazën e parë të punës, në mbështetje të kritereve të përcaktuara qartë shkencore e profesionale, duhet të prezantohen veprat kryesore të shkencës e të artit shqiptar. Secila nënbibliotekë duhet ta ketë këshillin e vet profesionalë të përbërë nga ekspertët më të njohur të fushave përkatëse, por edhe nga shkencëtarët e rinj. Ky këshill duhet të përcaktojë kriteret dhe planet e zhvillimit të bibliotekës së kulturës shqiptare në internet. Planet e këshillave profesionalë duhet t’i realizojnë udhëheqësit operativë të çdo biblioteke, të cilët është e dëshirueshme të jenë të rinj, të pajisur mirë me dijet profesionale dhe të përgatitur e të arsimuar mirë nga ana teknike e teknologjike. Të tillë ka në shoqërinë shqiptare dhe të tillë kemi shpërndarë, fatkeqësisht, shumë në botë.

Projekti Biblioteka e kulturës shqiptare në internet duhet të jetë ndërmarrje e madhe dhe serioze, me vëllimin e saj duhet t’ia kalojë çdo projekti të tillë shqiptar individual në internet. Punën e saj duhet ta ndihmojnë institutet, shoqatat, shtëpitë botuese, institucionet arsimore dhe individët.

Krijimi i një biblioteke të tillë duhet të jetë edhe rezultat i përpjekjeve tona për t’u përfshirë në zhvillimin e qytetërimit elektronik. Një ndërmarrje e tillë duhet të realizohet e t’i ketë mbështetës financiar institucionet shtetërore në Shqipëri e në Kosovë. Gjedhe si duhet të duket e si duhet të funksionojë një bibliotekë e tillë në internet ka me qindra në sajtet e bibliotekave nacionale – amerikane, britanike, franceze, gjermane, italiane, madje edhe të fqinjëve tanë: bullgarëve, kroatëve e të tjerëve.

Nuk duhet të harrojmë se interneti është mënyra më e mirë për afirmimin dhe për lidhjen e kulturave dhe të popujve.

Kultura shqiptare e meriton një përfaqësim dhe një prezantim të denjë në internet. Ajo nuk e meriton inferioritetin në të cilin e kemi sjellë në raport me kulturat përreth, të cilat kanë arritur rezultate të vërejtshme në këtë rrafsh. Krijohet përshtypja se për kulturën shqiptare sot ”lodhen” vetëm individë entuziastë, dashamirës të saj, se nuk jemi ende të ndërgjegjshëm për rëndësinë e komunikimit elektronik dhe për ndikimin e tij çdo herë e më të madh për pamjen e një kulture dhe në përgjithësi për pamjen dhe prestigjin një populli.

II. Ashtu siç na mungon korpusi kombëtar kulturor institucional në internet, na mungon edhe korpusi gjuhësor. Prandaj krahas punës në projektin për krijimin e korpusit kulturor duhet të punojmë në projektin për korpusin gjuhësor në internet.

Pikënisja për çdo hulumtim e studim gjuhësor, siç dihet, është korpusi. Duke e ditur se për shqipen nuk kemi korpuse të mbledhura në mënyrë sistematike (të rikujtojmë vetëm punën e mundimshme me qindra e mija skeda letre që janë përdorur në hartimin e fjalorëve që kemi) është fare e qartë i çfarë rëndësie do të ishte krijimi dhe përpunimi i teksteve të përzgjedhura të shqipes – të vjetra dhe të reja – në formën e korpuseve, përdorimi dhe shfrytëzimi i të cilave do të kishte rëndësi të shumëfishtë për të gjitha fushat albanistike dhe, sidomos, për leksikografinë dhe leksikologjinë.

Projekti për krijimin e korpusit gjuhësor duhet t’i përfshijë tri fusha: 1. krijimin dhe përpunimin e korpusit të shqipes, si lëndë gjuhësore bazë, që do të shfrytëzohej për studime të ndryshme gjuhësore, sidomos për studimet leksikologjike dhe leksikografike; 2. plotësimi i fjalorit drejtshkrimor duke zbatuar rezultatet e përpunimit të këtij korpusi gjuhësor; 3. studimi diakronik dhe sinkronik i neologjizmave në gjuhën shqipe, si bazë për zhvillimin e terminologjisë bashkëkohore shqipe duke shfrytëzuar, po kështu, rezultatet e përpunimit të këtij korpusit gjuhësor.

Sot studimi i korpusit të ndonjë gjuhe nuk mund të mendohet pa ndihmën e kompjuterit. Studimet e sotme për gjuhët e ndryshme botërore mbështetën mbi bazat shumëmilionëshe të korpuseve të gjuhëve të caktuara, prandaj sot flitet për linguistikën e korpuseve.

Krijimi i korpusit gjuhësor të shqipes duhet të ketë, pra, këto qëllime: të regjistrojë dhe të përpunojë korpusin gjuhësor të shqipes; të sjellë tekste të përzgjedhura dhe fjalorët e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë, pastaj përkthimet e veprave kapitale të qytetërimit botëror në formën e korpuseve etj.

Korpusi gjuhësor do të ndihmojë në këto fusha: gjuhësi shqiptare (histori gjuhe, problematikë të drejtshkrimit, studimin e fjalëformimit etj.); leksikologji dhe leksikografi (fjalorët njëgjuhësh, fjalorët dygjuhësh, fjalorët shumëgjuhësh, konkordanca e teksteve, fjalorët drejtshkrimorë, fjalorët terminologjikë, fjalorët e neologjizmave etj.); në informatikë (indeksimi dhe hetimi i bazave tekstore të të dhënave, përpunimi i gjuhëve natyrore, gjenerimi i mesazheve natyrore-gjuhësore, krijimi i mjeteve për përpunimin e teksteve natyrore-gjuhësore, etj.

Duke pasur parasysh këto që u theksuan më lart del se një projekt i këtillë do ta kishte statusin e hulumtimit themelor në shkencat humane dhe statusin e hulumtimeve strategjike për studimet shqiptare.

Mund të thuhet, prandaj, se për shoqërinë shqiptare sot ka rëndësi të madhe krijimi i këtyre korpuseve. Çdo vonesë në krijimin e tyre do të sjellë vonesa në shumë drejtime në zhvillimin tonë kulturor e gjuhësor, në të vërtetë në zhvillimin tonë shoqëror e qytetërues
Dr.Shefkije Islamaj

4 Komente per “Për një korpus kulturor dhe për një korpus gjuhësor në internet”

  1. Artikull shume i rendesisshem.
    A mund te shenosh burimin qe ta dime si mund te kontaktohet dhe Dr. Islamaj?

  2. Granit Doshlaku on June 21st, 2009 at 1:53 pm

    Se pari me vjen mire qe artikulli i publikuar ne abcshqip.com ju ka pelqyre.
    Ky artikull eshte shkruar nga Dr.Shefkije Islamaj dhe e kam gjetur ne http://gjuha-shqipe.com/permbajtja/per_gjuhen/dokumente/per_nje_korpus_kulturor.html.

    Graniti

  3. Post shum i mir

  4. Granit Doshlaku on July 8th, 2009 at 12:39 pm

    Me vjen mire qe te ka pelqyer.

Shkruaj nje Koment