Bagëti e Bujqësi – Naim Frashëri
O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.
Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.
Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar.
Kur dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e le qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
E ta trëmbin, ay s’kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
Ashtu dhe zemëra ime më le këtu tek jam mua,
Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.
Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m’erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vënt janë mbluar;
Nat’atje’shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
Në pyjet’ e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.
Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.
Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
Bashkë me shpest edhe unë t’ia thërres këngës e t’ia them;
Të shoh kedhërit’ e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
Qiellin’ e sbukuruar, dhenë me lul’e me dritë.
Vashë bukurosh’e bariut! që vjen me llërë përveshur,
Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
Në sythit tënt e shoh gazë, që s’e kam gjetur ndë jetë.
Dashi sysk e me këmborë, q’e ke manar, po të vjen pas,
Dhe qeni me bes’ i larmë të ndjek me dëshir’ e me gas.
Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
Pash’ atje pas më të gdhirë,… ja atje përtej tek vinë!
O! sa bukuri ka tufa!
Sa gas bije bagëtija!
Naim Frashëri
![]()
Naim Frashëri lindi më 25 maj 1846 në Frashër të Përmetit; vdiq më 20 tetor 1900 në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku edhe u varros. Eshtrat e tij janë sjellë në Shqipëri. Ishte poeti më i madh i rilindjes kombëtare shqiptare, atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës shqiptare.
Në vendlidje bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” (1869). Bëri pastaj pak muaj në Stamboll, si nëpunës i vogël në zyrën e shtypit (1870), po iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë të mirë. Në fillim ishte nëpunës të dhjetash në Berat e më pas i doganës në Sarandë (1872-77). Në këtë periudhë Naim Frashëri bëri prova të vjershërimit shqip, nën ndikimin e bejtexhinjve e u dha pas vjershërimit persisht, me sukses, duke botuar më vonë edhe një përmbledhje lirikash Tejhyjylat (Ëndërrimet, 1885). Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh, dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, Naim Frashëri braktisi vjershërimin persisht dhe iu kushtua letërsisë shqiptare. Poema e tij e parë e re ishte Shqipëria (1880, botuar më 1897), që entuziazmoi patriotët shqiptarë. Në Stamboll Naim Frashëri ka qenë ndër botuesit kryesorë të revistës “Drita”, më pas “Dituria” (1884-85), ku u botuan shumë vjersha të tij, proza e vargje për shkollat e para shqipe që do të hapeshin, disa shqipërime të shkrimtarit. Ai shërbente si anëtar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit, më pas si kryetar.
Read more
Gjuha Shqipe – Naim Frashëri
Kur në sulm hodhën turqit
Hordhitë e pambaruara,
Kështjellat e sintaksës
S’ i muar, që s’ i muar.
Në bedena poemash
Popullore mbetën
Kufoma divanesh e
Kufoma bejtesh.
Kur panë se gjuhës
S’ i hodhën dot prangat,
Lëshuan drejt saj
Gjithfarë merimangash.
Parashtesa e pjesëza
E lidhëza së prapthi
Të bukurën gjuhë
Ta bënin lesh arapi.
Read more