"Associated Press": Kadare, pretendent për çmimin Nobel
Shkrimtari shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare është një ndër pretendentët për të fituar çmimin Nobel për Letërsinë për këtë vit. Agjencia e lajmeve “Associated Press” shkruan se, në rast se juria do të zgjedhë fitues sërish një shkrimtar europian, favoritë janë Ismail Kadare dhe suedezi Tomas Transtromer. Kadare, veprat e të cilit janë përkthyer në 35 gjuhë të botës, është nominuar disa herë për çmimin Nobel. Pak ditë më parë, “Prilli i Thyer” u cilësua nga media angleze si një ndër 10 romanet që përshkruante më mirë fenomenin e gjakmarrjes.
Të tjerë shkrimtarë favoritë, në rast se fituesi nuk do të jetë europian, janë poeti koreano-jugor, Ko Un, shkrimtari izraelit Amos Oz, apo amerikanët Filip Roth e Don Delilo. Anëtari i jurisë, Piter Englund tha për “Associated Press” se, fituesi është zgjedhur tashmë, dhe do të shpallet pas një vote formale ditën e enjte. Këtë vit, fituesit do të përfitojnë rreth 1.5 milionë dollarë, diplomë dhe medalje të arit. Për të parën herë, Çmimi Nobel në Letërsi u dorëzua në vitin 1901. Read more
Ismail Kadare
Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Ismail Kadare është shkrimtari më i madh i letërsisë shqipe dhe një nga shkrimtaret më të mëdhenj të letërsise botërore bashkëkohore. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.
Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit (“Frymëzime djaloshare”, 1954, “Ëndërrimet”, 1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.
