Mbreti hegjemon i la lamtumirën bukuroshes Yu Gji

Udhëheqësi i kryengritësve fshatarë Siang Yu, që ishte shpallur si “Mbreti hegjemon i çusë perëndimore”, bënte akte të djegies, vrasjes, rrëmbimit dhe grabitjes kudo që të shkonte. Si rrjedhim, ai humbi përkrahjen nga populli dhe kjo gjë e shpuri atë në një disfatë gjithnjë e më të rëndë në luftën me udhëheqësin e kryengritësve fshatarë të një fraksioni tjetër Liu Bang. Në vitin 202 para erës së re, Liu Bang filloi luftën finale me Siang Yu në zonën Gaixia. Siang Yusë, që dikur kishte një ushtri prej 400 mijë vetashi, kishin mbetur vetëm 800 kalorës, të cilët nuk kishin më drithëra dhe tagji për kuajt dhe ishin rrethuar në të katër anët nga trupat prej 300 mijë vetash të gjeneralit Han Sin të palës së Liu Bangut.

Natën vonë, ushtarët e Liu Bangut filluan të këndonin këngë popullore të zonave çu, që ishte vendlindje e Siang Yusë. Siang Yu kujtoi se të gjitha zonat çu ishin zënë nga Liu Bang, prandaj e humbi shpresën e fundit. Ai filloi të pinte raki në çadrën ushtarake. E dashura e tij bukuroshja Yu Gji e shoqëronte. Pranë tij qëndronte edhe kali i tij i dashur me emrin “Zhui”. Siang Yu këndoi plot ndjenja: “Pata fuqi për të shkulur edhe një mal dhe pata guxim të pashoq në botë. Por, situata nuk më favorizon, edhe kali im nuk ka si e thyejë rrethimin. Ah, bukuroshja ime Yu Gji, çfarë mund të bëj unë për ty?”Bukuroshja Yu Gji këndonte në përgjigje dhe Siang Yusë iu mbushën sytë me lot.

Pastaj, Siang Yuja i hovi kalit dhe, i shoqëruar nga 800 kalorësit, e theu rrethimin në mesnatë e shkoi fluturimthi drejt jugut. Kur agoi dita, ushtarët e kalorësisë së Liu Bangut i diktuan ata dhe 5000 kalorës prej tyre filluan t’i ndiqnin këmba-këmbës. Siang Yu kaloi lumin Huaihë, por atij i mbetën vetëm 100 kalorës, të cilët ranë në një kënetë, dhe kalorësit e Liu Bangut, që i ndiqnin, ishin shumë afër. Pas një luftimi të ashpër, Siang Yusë i mbetën vetëm 28 kalorës.

Siang Yu arriti në bregun e lumit Vujiang. Një varkëtar u shpreh se deshi ta çonte atë matanë lumit dhe i propozoi që të krijonte një regjim në zonat në lindje të lumit. Por Siang Yu tha: “ç faqe më mbetet tani kur të shihem me bashkëfshatarët e mi në lindje të lumit?” Pastaj ia dha kalin e tij varkëtarit dhe u mor vesh me bukuroshen e tij Yu Gji që të dy të vrisnin veten. E para e vrau veten bukuroshja Yu Gji. Në atë moment kalorësit e Liu Bangut iu afruan. Siang Yu tha: “Thonë se Liu Bang ju ofron 1000 liang flori për kokën time. Ja, po jua jap atë si një dhuratë.” Pastaj ngriti shpatën dhe vrau veten.

burimi: zeriyt.com

Shpreh mendimin tend ...

Komentoni lirisht
ate çfare ju mendoni apo sugjeroni !