Dënimi i Dou Ë-së së pafajshme

Guan Han Qing, shkrimtar dramaturg kinez i shekullit të 13-të, krijoi një sërë veprash të shquara teatrore, njëra prej të cilave ka qenë libreti i operës ?Dënimi i Dou Ë-së së pafajshme?. Kjo pjesë teatrore, që demaskoi korrupsionin e organeve të drejtësisë të periudhës së dinastisë Yuan, nuk është vjetruar asnjëherë, edhe pse kanë kaluar rreth 800 vjet, dhe shfaqet në skenë shumë shpesh edhe sot. Në këtë operë tragjike pasqyrohet një ngjarje që ndodhi asokohe. Përshkrimi i shkurtër i saj është si vijon më poshtë:
Kur Dou Ë-ja ishte 7 vjeçe, babai i saj mori para borxh nga një fajdexhi dhe, më vonë, për të kthyer borxhin, ia shiti Dou Ë-në plakës Cai për “nuse fëmijërore”. Por për fat të keq, “burri fëmijëror” i Dou Ë-së vdiq para kohe dhe ajo vendosi të mos martohej më dhe të jetonte gjithë jetën si vejushë, bashkë me plakën Cai.

Një herë, plaka Cai shkoi te një burrë me emrin Sai, për të kërkuar borxhin që ai ia kishte marrë më parë. Por Sai jo vetëm refuzoi t’ja kthente borxhin, por edhe deshi ta vriste plakën. E mori atë në periferi të qytezës dhe u bë gati ta mbyste me litar. Në momentin kritik, një burrë me emrin Zhang Lyer, emër që do të thotë “Gomari Zhang”, së bashku me babanë e tij po kalonin andej dhe e shpëtuan plakën Cai nga vdekja, duke e rrahur keqas dhe duke e dëbuar maskaranë Sai.

Kur mori vesh se plaka Cai kishte një nuse të re dhe të bukur që jetonte si vejushë, Gomari Zhang kërkoi ta merrte atë për grua, por plaka Cai nuk pranoi. Kështu që, Gomarit Zhang i lindi mendimi ta vriste plakën dhe ta merrte me pahir Dou Ë-në për grua.

Një ditë, kur mori vesh se plaka Cai ishte e sëmurë, Gomari Zhang gatoi supë me mish qengji dhe shkoi bashkë me babanë e tij në shtëpinë e plakës Cai, gjoja për të ngrënë një drekë bashkë me të dhe me nusen e saj. Gomari Zhang hodhi fshehurazi helm në tasin e plakës. Por babai i tij e mori pa dashur atë tas me supë dhe e hëngri, e si pasojë, vdiq aty për aty.

Gomari Zhang e akuzoi Dou Ë-në dhe e paditi në gjyq, me qëllim që, duke përfituar nga rasti, të rrëmbente pasurinë e saj. Kryegjyqtari i korruptuar, që mori rryshfet nga Gomari Zhang, e dënoi Dou Ë-në me vdekje.

Para ekzekutimit të dënimit, Dou Ë-ja thirri: “O, mirëdashësit vuajnë nga varfëria dhe nuk jetojnë gjatë; Ndërsa keqbërësit bëjnë një jetë të pasur dhe jetojnë shumë! Edhe Qielli dhe Toka veprojnë sipas rasteve, duke pasur frikë nga të fuqishmit dhe duke marrë më qafë të dobëtit! O, Toka, nuk je e denjë për emin e Tokës, sepse nuk i dallon të mirat nga të këqijat. O, Qiell, e ke marrë kot emrin Qiell, sepse i ngatërron fisnikët me të poshtrit. O, ç’ mund të bëj e shkreta unë, përveçse të derdh lot? ”

burimi: zeriyt.com

Shpreh mendimin tend ...

Komentoni lirisht
ate çfare ju mendoni apo sugjeroni !